New Delhi, 8 mars – Viset e largëta verilindore të Indisë janë “shtëpi” e një fisi të lashtë, vlerësimi jashtëzakonisht i lartë i të cilit për gratë e bën atë skajshmërisht të pazakontë për shtetin që dominohet me të madhe nga burrat. Mirëpo, ndërsa bota e shënon ditën ndërkombëtare të gruas, rajoni është shndërruar në skenën e një beteje të pazakontë, në të cilin burrat tentojnë t’i japin fund traditës të sundimit femëror.
Fisi Khasi në shtetin piktoresk Meghalaya, i vendos femrat në qendër të shoqërisë, që nga djepi e deri në varr.
“Shkoni në cilindo spital dhe qëndroni jashtë derës së maternitetit, dhe vetëm dëgjoni”, thotë Keith Pariat, një aktivist i të drejtave të burrave. “Nëse familjes i lind një djalë, do të dëgjoni mendime si: ‘Oh, në rregull, bën edhe djalë’. Por nëse është vajzë, atëherë aty shpërthejnë gëzimi dhe duartrokitjet”.
Pariat është shef i Syngkhong Rympei Thymmai (SRT), një organizatë që lufton për çrrënjosjen e traditës së pushtetit të femrave.
Sipas traditës Khasi, vajza më e vogël e trashëgon të gjithë pasurinë familjare, burrave u kërkohet që të vendosen në shtëpitë e bashkëshorteve pas martesës, ndërsa fëmijët i marrin mbiemrat e nënave të tyre. Dhe, në një vendim që ndihmon në shpjegimin e bazës së gëzimit për foshnja të gjinisë femërore, të gjithë prindërit me pasuri familjare por pa vajza duhet të adoptojnë një vajzë përpara se të vdesin, pasi që trashëgiminë nuk mund tua lënë të bijve të tyre.
Sistemi i sundimit nga femrat është ndërtuar për mijëra vjet në këtë zonë, por tani aktivistë si Pariat janë të përkushtuar që ta zmbrapsin.
“Kur një burrë detyrohet që të jetojë në shtëpinë e prindërve të gruas, ai detyrohet të jetë më i qetë”, thotë Pariat. “Jeni vetëm një dem mbarështimi. Askush nuk interesohet t’i dëgjojë qëndrimet tuaja për asgjë, nuk keni ndonjë të drejtë fjale”.
Biznesmeni 60-vjeçar beson se sistemi i sundimit nga gratë ka qenë “krejtësisht i dëmshëm” për burrat Khasi. “Sistemi nuk u lë asnjë përgjegjësi burrave, kështu që ata nxiten ta marrin jetën me lehtësi dhe i drejtohen drogës dhe alkoolit dhe kështu u shkurtohet jeta”, thotë ai. Kjo i bën ata jotërheqës për femrat khasi, të cilat e ruajnë të drejtën e tyre për t’u martuar me pjesëtarë të komuniteteve të tjera.
Teibor Langkhongjee, një anëtar 41-vjeçar i SRT-së, thotë se zgjidhja është e lehtë të kuptohet.
“Burrat khasi nuk kanë siguri, nuk posedojnë toka, nuk udhëheqin biznese familjare dhe, në të njëjtën kohë, ata nuk janë të mirë për pothuajse asgjë”, thotë ai.
Kjo duhuri e vë në pah përleshjen ndërmjet rregullave të klanit dhe ligjeve familjare të Indisë. Në të kaluarën, konflikte të tilla janë përqendruar në zgjerimin e të drejtave të grave në trashëgimi, mirëpo të drejtat e meshkujve kurrë nuk kanë qenë subjekt debati.
Në Shillong, shumica e femrave i hedhin poshtë sugjerimet se shoqëria e tyre është e anshme. Edhe pse gratë khasi kanë kompetenca të marrin vetë vendime për martesë, para dhe çështje të tjera, pjesëmarrja e tyre në politikë mbetet e ulët, duke zënë vend katër nga 60 pozitat legjislative të shtetit.
“Shkaku pse pasuria i lihet të bijës më të vogël është sepse ajo e ka përgjegjësinë për t’u kujdesur për prindërit deri në vdekjen e tyre”, thotë Patricia Mukhim, redaktore e “The Shillong Times”. “Prindërit ndihen se mund gjithnjë të llogarisin në vajzat e tyre”.
Në shtetin, ku nënat shpesh përballen me presion të jashtëzakonshëm për të sjellë në jetë djalë, Meghalaya ka ndikuar në ndryshimin e proporcionit të gjinisë.
Proporcioni gjinor i shtetit aktualisht është 1.035 femra për çdo 1.050 meshkuj, që është shkallë më e lartë se norma globale prej 1.000 femrave për çdo 1.050 meshkuj.
India ndryshe njihet për dominimin mashkullor dhe aty sulmet seksuale jashtë të shpeshta dhe në disa raste vetë viktimat akuzohen për sulme.
Përdhunimi masiv i studentes indiane në një autobus në New Delhi kishte nxitur demonstrata mbarëpopullore.
Pesundra Reslinkhoy, mësuese 25-vjeçare në Shillong, thotë se lakmon gjithnjë e më shumë sistemin e sundimit të grave, që pas rastit të përdhunimit në Neq Delhi.
“Mendoj se është traditë e mirë që i gjithë pushteti t’u lihet femrave, për shkak se kështu do të shpëtonim nga shumë gjëra të këqija”, thotë ajo.